Katër komunat rrëzë Çyçavicës, thellojnë bashkëpunimin
Katër kryetarët e komunave, të Skënderajit, Drenasit, Vushtrrisë dhe Kastriotit, së bashku me Nënkryetarët, shefat e kabineteve, Kryesuesit e Kuvendeve Komunale dhe drejtorët e drejtorive, janë takuar sot, me qëllim të intensifikimit të bashkëpunimit. Kryetarët Bekim Jashari, Ramiz Lladrovci, Xhafer Tahiri dhe Xhafer Gashi, në takimin e sotëm, u zotuan për thellimin e bashkëpunimit në mes të katër komunave, të lidhura me kufijtë ndërkomunal, por edhe me bjeshkët e Çyçavicës, të njohur gjatë historisë.
Ata gjatë këtij takimi janë dakorduar që zona në rreze të Çyçavicës të shpallet si vend me interes të përgjithshëm që ne të ardhmen të shërbejë si urë lidhëse mes këtyre katër Komunave, por edhe për gjithë Kosovën. Kjo rrugë në Çyçavicë shtrihet ne një hapësirë prej 18 kilometra dhe me shpalljen e saj ne interes të përgjithshëm nacional, do të krijohej një zonë turistike.
Bashkëpunimi ndërkomunal konsiston në lëmin e infrastrukturës, shërbimeve publike, arsimit, kulturës, sportit e në veçanti në lëmin e ekonomisë, duke planifikuar zona me interes të përbashkët siç është turizmi, terrenet e ndryshme rekreative dhe biznesore. Po ashtu, me rëndësi në këtë bashkëpunim do të jenë ruajtja e ambientit, kujdesi ndaj ujërave si dhe sipërfaqeve të gjelbëruara.
“Ky takim, është fillim i një bashkëpunimi dhe iniciative të qëndrueshme për zhvillim ndërkomunal, me rëndësi të veçantë për zonat kufitare, ku qytetarët e zonave të kufijve ndërkomunal janë në fokus të përbashkët. Presim që kjo nismë e bashkëpunimit, të thellohet me punë të përbashkëta të drejtorive përkatëse si dhe hartimin e planeve të përbashkëta, në interes të qytetarëve”, ka theksuar Z. Lladrovci. Ai ka shtuar se me interes të theksuar për qytetarët e katër Komunave, por edhe e gjithë Kosovës, është ndërtimi i rrugës ne bjeshkët e Çyçavicës.
Drejtoritë përkatëse, inspektorat si dhe organet tjera komunale, do të këmbejnë përvojat e veta si dhe do të parashtrojnë aktivitetet si dhe strategjitë, duke i begatuar dhe mbarështruar ashtu që ky bashkëpunim të sjell dobi për qytetarët dhe katër komunat me këtë nismë të re të bashkëpunimit./VushtrriaONLINE