Autor : Sarandë Selimi
Emigrimi është procesi cili ekziston aq sa edhe vetë njerëzimi. Kjo dukuri mund të vlerësohet edhe për të mirë por edhe për të keq. Kësisoj në Kosovë, mund të cekim dy vala të mëdha të migrimit atë gjatë viteve të 90’ dhe ajo e vitit 2014-2015. Kjo e fundit në ndryshim nga ajo e viteve ‘90 ishte më rëndë për faktin që ndodhi gjatë kohës që Kosova ishte vend i pavarur dhe si e tillë rezultoi mjaft keq jo vetëm për qytetarët por edhe për vet shtetin duke u cilësuar si i paaftë për të ofruar mirëqenien e qytetarëve të tij. Për shkak që Kosova listohet në listën e vendeve të sigurta, vendet e ndryshme të Evropës nuk u dhanë leje qëndrimi. Sipas statistikave të EUROSTAT-it, në këtë periudhë nga Kosova janë larguar mbi 80 mijë qytetarë, megjithatë besohet se ky numër është mbi 100 mijë. Të gjithë këta qytetarë, tashmë gradualisht edhe kanë filluar të kthehen përsëri në Kosovë, disa vullnetarisht dhe disa në mënyre jo-vullnetare.
Por a kanë ku të kthehen dhe çfarë ofron shteti për ta?
Në letër dhe në mekanizma ekzistojnë: Strategjia për Riintegrimin e Personave të Riatdhesuar, zyra e punësimit, me këtë merret edhe Kryqi i Kuq e shumë organizata të tjera. Por çfarë u ofrohet atyre? Një mal me dokumente për tu plotësuar por shumë pak informacione se çfarë duhet të veprojnë dhe ku të drejtohen. Nëpër komunat e Kosovës, janë Zyret e Punësimeve që merren pikërisht me riatdhesimin e qytetarëve, që rrallë herë funksionojnë sipas ligjit i cili është i thurur aq mirë në letër e fare në praktikë.
Momenti i riatdhesimit të qytetarëve të Republikës së Kosovës, fillon nga aeroporti, pasi që shumica e qytetarëve nuk e kanë një transport për tu kthyer në komunat e veta, e po ashtu edhe në Vushtrri në një nga komunat ku ka pasur më së shumti migrant që kanë ikur nga Kosova në mënyrë të jashtëligjshme. Zyre e Punësimit e ofrojnë këtë transport. Po ashtu këto zyre që jetësohen në bazë të rregullores së lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, duhet ta bëjnë edhe futjen e të dhënave të secilit të riatdhesuar, duhet të merren me trajtimin mjekësor e kështu me radhë. Këto zyre poashtu kanë një manual që e zbatojnë dhe këto programe të punësimit janë në tri skema: Subvencionimi, Trajnimi në Punë (me mundësi punësimi) dhe Qendra e Aftësimit Profesional.
Ka shumë qytetarë që kanë informacion të marrë prej dorës së dytë për skemën e punësimit, por ky informacion është deformuar mjaft shumë. Disa nga ta u janë drejtuar këtyre zyrave duke u thënë se kanë informata që shteti u jep ndihmë në vlerë monetare apo banesa. Kjo ka ndodhë jo vetëm me zyrën e punësimit por edhe më Kryqin e Kuq, në gjithë Kosovën dhe në Vushtrri. Cilësohet se sfida për të riatdhesuarit ka qenë goxha e madhe për organet dhe shtetin e Kosovës, por ky shtet nuk e ka marrë mundin që nëpërmjet mediumeve të ndryshme, t’i njoftoj qytetarët e tij se çfarë përfitojnë saktë nga riatdhesimi.
Me të riatdhesuarit e Vushtrrisë merret edhe Kryqi i Kuq. Në këtë komunë ky Kryq i Kuq ka shumë vullnetarë aktiv dhe ata përpos që u dolën në ndihmë të riatdhesuarve, morën edhe disa të rinj si vullnetarë. Pak nga të riatdhesuarit kanë përfituar nga subvencionet që ofrojnë komunat në kuadër të Zyrave të Punësimit. Disa edhe pse kanë aplikuar dhe kanë përmbushur kushtet e të gjitha dokumentet adekuate, nuk janë lajmëruar asnjëherë mbi vlerësimin e aplikimit të tyre.
Sa i përket Trajnimit në Punë (me mundësi punësimi) i cili mundësohet përmes Qendrave të Aftësimit Profesional, ju ofrojnë të riatdhesuarve një diplomë të përfundimit të trajnimit dhe asgjë tjetër.
Republika e Kosovës në tërësi ka dështuar në riatdhesimin e qytetarëve. Edhe pse migrimi dhe riatdhesimi konsiderohet ky një problem global. Për shembull, qytetarët e shteteve të ndryshme shkojnë në ndonjë shtet tjetër për shkak të një pune më të mirë apo pagës më të madhe. Po kjo nuk do të thotë që shteti i Kosovës, tash të ndalojë së punuari për të ju ofruar qytetarëve punësim në vendin e tyre. Në Kosovë, duhet të riformohen shumë sistemet, duke nisë nga ai i arsimit. Nëse kemi arsimim të koncentruar me nevojat e tregut, punësimi do të bëhet më profitabil dhe do të hapen më shumë vende të reja pune. E krejt kjo si përfundim sjellë një shtet pa shumë njerëz që emigrojnë për të krijuar kushte elementare jetësore.
Në Kosovë, qytetarët nuk janë mjaftueshëm të integruar e si mund të bëhet lehtë riintegrimi pastaj. Çka është më e keqja, emigrimi jo i rregullt nuk ka të ndalur. Kjo vazhdon të krijoj kaos në vend. Kaos jo vetëm të emigrimit por edhe të riatdhesimit. Kaosi vazhdon, ligjet ekzistojnë e Qeveria nuk merret fare me këtë fenomen që po dëmton shumë shtetin 10-vjeçar të Kosovës, i cili ende vazhdon me sfidat që është dashur të tejkalohen shumë më herët.