Në shtator të vitit 2017 ishte e obligueshme që udhëtarët që hyjnë brenda në Stacionin e Autobusëve të paguajnë një tarifë prej 10 centësh.
Por ky çmim tani është rritur, edhe pse drejtori i Stacionit të Autobusëve, Ylber Çitaku po e mohon këtë.
Koha.net ka siguruar nga një udhëtar një biletë që dëshmon se ai ka paguar 50 centë, e që deri para pak kohësh për të ka paguar 10 centë.
Image
Personi me iniciale B.A në një prononcim për Koha.net tha se është i indinjuar me një gjë të tillë, pasi për qytetarët kjo kosto është mjaft e lartë.
“Unë në fakt punoj dhe më duket problem, por ka të tillë udhëtarë që nuk i kanë mbase kushtet dhe u duhet patjetër të paguajnë. Kur ishte 10 cent ishte kosto e lartë, lëre më tani 50 centë”, ka thënë ai për Koha.net.
Ai gjithashtu tha se ka dyshime se mos ka shkallëzime të tarifave, pasi njëherë paguante 10 centë e tani 50 centë.
“Ndoshta është politikë e re e Komunës, por unë si qytetar nuk kam qenë asnjëherë i informuar për këtë lëvizje nga 0.1€ në 0.5€. Gjithsesi kjo quhet vjedhje me letra. Madje, biletashitësi në fillim insistoi të mos më jepte fare kuponin fiskal dhe më ofroi kuponët e tjerë. Në cilin do rast, çmimet janë të larta për udhëtarët”, shtoi ai.
Koha.net ka mësuar se vetëm për ta kaluar laurën për të hyrë brenda Stacionit ku gjenden autobusët, duhet paguar patjetër këtë tarifë prej 50 centësh, edhe nëse nuk ke për të udhëtuar.
Ylber Çitaku, një gjë të tillë e ka mohuar. Madje ai thotë se nuk është fare në dijeni që ka çmim prej 50 centësh për të hyrë në Stacion.
“Nuk kam informacione që është 50 centë. Nuk është e vërtetë, pasi prej shtatorit të vitit të kaluar kjo gjë nuk ka ndryshuar. Domethënë është 10 centë”, tha Çitaku në një prononcim për Koha.net.
Ani pse edhe vitin e kaluar Çitaku ka thënë se këtë shërbim duhet ta paguajnë vetëm udhëtarët, një gjë e tillë nuk qëndron kështu pasi kushdo që e kalon atë pjesë, duhet paguar.