Familjet e kryeministrit Ramush Haradinaj, kryeparlamentarit Kadri Veseli dhe presidentit Hashim Thaçi janë pajisur me pasaporta diplomatike, sipas një vendimi të Qeverisë së Republikës së Kosovës të marrë më 20 shkurt.
Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, është marrë vendim që përveç familjeve të kryeministrit, kryeparlamentarit dhe presidentit, edhe fëmijët dhe bashkëshortet e ministrit të Punëve të Brendshme, si dhe ministrit të Punëve të Jashtme të përfitojnë pasaporta diplomatike, raporton Insajderi.
“Pasaporta diplomatike i lëshohet edhe bashkëshortit/es dhe fëmijëve deri në moshën 18-vjeçare të: Presidentit të Republikës së Kosovës, Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kryeministrit, Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Ministrit të Punëve të Brendshme”, thuhet në vendimin e Qeverisë së Kosovës.
Në këtë vendim të Qeverisë lidhur me pasaportat diplomatike, theksohet po ashtu se ish-presidentët e Kosovës mund të përdorin pasaportë diplomatike për tërë jetën e tyre, ndërsa fëmijët dhe bashkëshortet e tyre mund të përdorin pasaportat diplomatike vetëm një vit pas përfundimit të mandatit.
“Presidenti i Republikës së Kosovës, të cilit i ka përfunduar mandati, bashkëshorti/ja i/e saj/tij , vazhdon të përdor pasaportën diplomatike të Republikës së Kosovës gjatë tërë jetës. Fëmijët e tij/saj kanë të drejtë të përdorin pasaportën diplomatike deri në moshën 18-vjecare”, theksohet në vendimin e qeverisë.
Në mbledhjen e qeverisë, të mbajtur para pesë ditësh, u ndërmor edhe një vendim për pasaportat diplomatike të deputetëve. “Deputetët gëzojnë të drejtën e përdorimit të pasaportës diplomatike, vetëm një (1) vit pas përfundimit të mandatit”, thuhet në vendimin e Qeverisë së Kosovës.
Teksa familjarët e tre liderëve shtetëror kanë përfituar pasaporta diplomatike, qytetarët e Kosovës janë i vetmi vend në rajon dhe – së bashku me Bjellorusinë – të vetmet në Evropë që nuk mund të udhëtojnë pa viza në zonën Schengen të Evropës.
Për liberalizimin e vizave, Bashkimi Evropian e ka kushtëzuar Kosovën me ratifikimin e Marrëveshjes për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi – marrëveshje e cila nuk është votuar ende në Kuvendin e Kosovës, edhe pse qe nënshkruar nga të dyja vendet në vitin 2015.