Në seancën e djeshme të Kuvendit të Komunës së Vushtrrisë, opozita ka kërkuar nga kryetari i komunës, Xhafer Tahiri që t’i ndalë diferencimet politike kundër shërbyesve civilë të komunës.
Ilmi Azemi, anëtar i kuvendit komunal nga PDK-ja tha se “që nga ardhja e kësaj qeverie, administratën komunale e ka përfshirë një furtunë e paparë deri më tani. Ai tha se kanë filluar sulmet ndaj anëtarëve dhe simpatizantëve të Partisë Demokratike të Kosovës. Azemi tha se kanë filluar edhe diferencimet politike, kanë goditur me metoda perfide personalitetin e shumë njerëzve, të cilët kanë dhënë kontributin me vite të tëra. Kjo qeveri ka goditur njerëz që performancën e kanë të shkëlqyer me vlerësimet paraprake”, ka thënë Azemi.
Azemi kërkoi që të ndërpritet kjo praktikë dhe vendimet diskriminuese të kthehen prapa. Kurse, punëtorët e administratës komunale të lihen të qetë.
Ndërkaq, Shpëtim Zhegrova, anëtar i kuvendit komunal nga PDK-ja theksoi se “punëtorët e administratës (shërbyesit civilë) janë në një gjendje të rëndë, nga sjelljet jo të mira të kryetarit të komunës dhe disa drejtorëve të drejtorive. Ai kërkoi që punëtorët të lihen të qetë, sepse nuk janë robër (skllav). Mos të etiketohen në baza partiake, pavarësisht cilit subjekt politik i takojnë”.
Shkëlzen Feka, anëtar i kuvendit komunal nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se është herët të bëhen akuza ndaj qeverisjes komunale. “Anëtarët nga PDK-ja e kanë përjetuar rëndë daljen në opozitë. Kërkoj nga opozita që të jenë racional dhe ta vlerësojnë punën e mirë që po e bën kryetari Tahiri, tha ai, i cili siç tha ai është shembull edhe për komunat tjera. Kurse, lidhur me akuzat që u thanë për presionin ndaj punëtorëve të administratës komunale, opozita nuk përmendi asnjë rast konkret, veç folën në të përgjithshëm, tha Feka.
Mirëpo, Sami Istrefi, anëtar i kuvendit komunal nga PDK-ja ishte më konkret dhe i përmendi emrat ndaj të cilëve janë bërë diferencime në baza politike. “Kolegu nga LDK-ja tha se nuk ka raste, por po ja them se raste konkrete janë: Ilirjana Azemi, Ramiz Maliqi dhe Nexhat Merovci punëtor në Drejtorinë për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit të cilëve u është thënë se: po të jem gjallë do iu vlerësojë me notën 1. Të goditen punëtorët politikisht pa asnjë vlerësim dhe të dislokohen në drejtoritë tjera pa asnjë arsyetim, kjo është për të të ardhur keq, tha Istrefi, i cili shtoi se nuk do të lejojmë që të shkatërrohet administrata komunale. Sipas tij, në qeverisjen e Bajram Mulakut, asnjë rast nuk kemi pasur që është diferencuar politikisht.”
Në anën tjetër, kryetari i Komunës Xhafer Tahiri, nuk ishte i pranishëm në mbledhje kur u parashtruan këto akuza ndaj tij dhe qeverisjes komunale për shkak që siç deklaroi ai kishte një takim me përfaqësues të zyrës amerikane.
Mirëpo, në fund të mbledhjes, kur përfaqësuesit nga PDK-ja që e akuzuan nuk ishin të pranishëm, Tahiri theksoi se “u informova që janë bërë akuza ndaj meje dhe stafit tim për presion dhe kërcënime ndaj shërbyesve civilë”
“Kushdo që i ka bërë këto akuza, e ftoj që ta thonë me emra se cilin zyrtar komunal e kam kërcënuar. Kërcënimi përbën vepër penale. Nëse nuk keni ndonjë zyrtar komunal që deklarohet publikisht, që ka kërcënime ndaj tij nga unë apo anëtarët e stafit tim, kjo është një shpifje e ultë dhe kërkoj që të tërhiqet ose do të ballafaqohet me pasojat ligjore për një shpifje të tillë”, ka deklaruar Tahiri.
“Ligji për Shërbimin Civil ka përcaktuar qartë se shërbyesit civilë mund të transferohen për një periudhë njëvjeçare në një pozitë të ngjashme pa ia ulur koeficientin edhe pa pëlqimin e shërbyesve civilë”, ka theksuar Tahiri.
Kurse, Nezir Klinaku, anëtar i kuvendit komunal nga Lëvizja për Bashkim për dallim nga anëtarët tjerë ia tha në prezencë kryetarit të komunës se qysh në ditët e para të qeverisjes e ka larguar fotografinë e presidentit nga zyra dhe ka bërë shkeljen e Ligjit Nr. 03/L-132 për Protokolin e Shtetit të Republikës së Kosovës dhe të Rregullores Nr. 19/2011 për Kriteret e Përzgjedhjes dhe Vendosjes së Fotografisë së Presidentit/es të Republikës së Kosovës.
Edhe Sami Istrefi e përmendi largimin e fotos së presidentit nga kryetari. Ai tha se arsyetimi i kryetarit ishte i zbehtë: veç ja kemi ndërruar vendin.
Lidhur me këtë, Tahiri tha se nuk e ka larguar fotografinë e presidentit, por e ka vendosur aty ku e ka vendin në bazë të legjislacionit në fuqi.
Edhe Lorik Maxhuni, anëtar nga PDK-ja e përmendi rastin në fshatin Maxhunaj, ku siç tha ai uji është zbrazur në katër shtëpi. Lidhur me këtë, i kemi bërë kërkesë Drejtorisë për Shërbime Publike për intervenim. Dhe çfarë ndodhë? Na kthehet përgjigjja me vetëm një fjali, se është refuzuar. Kjo është për keqardhje. Është lehtë të refuzohen njerëzit, por vështirë të ndihmohen, tha ai./fokusi.info