Gani e Halim Maxhera ishin dëshmitarët e radhës në gjykimin e Zoran Vukotiqit, i akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile në Vushtrri.
Në gjykimin që po mbahet në Gjykatën e Mitrovicës, dëshmitarët rrëfyen se si, sipas tyre, ishin rrahur nga tani i akuzuari Zoran Vukotiq si dhe një person tjetër i quajtur Gorolub Paunoviq.
Gani Maxhera, i cili është babai i Halimit, fillimisht tregoi për vrasjen Hamdi Fazliut më 5 maj 1999.
Ai tha se para se Hamdiu dhe të tjerët të vriteshin, i akuzuari Zoran Vukotiq dhe Gorolub Paunoviq kishin shkuar në shtëpinë e tij, duke i kërkuar para e më pas e kishin rrahur atë dhe djalin Halimin.
“Kanë ardhë dhe më kanë rrahur me gjithë djalë. Na kanë lypë pare, unë ju kam thënë që nuk kemi. Gorolubi pasi që na ka rrahur na ka thanë a na njeh neve, unë u kam thënë: jo “, tregoi dëshmitari.
Pas rrahjes që kishte zgjatur rreth 20 minuta, dëshmitari shpjegoi se ata nga shtëpia e tyre kishin shkuar në shtëpinë e Hamdi Xhemës, ku i kishin rrahur edhe atë dhe familjen e tij, ndërsa ky i kishte parë nga ballkoni.
Ndërsa kur u pyet nga prokurori se a ishte takuar me Hamdi Fazliun atë ditë, dëshmitari tha se nuk ishte takuar, pasi që atë ditë në lagjen e tyre ishin dëgjuar edhe të shtëna armësh, ndërsa nga to ishin vrarë Hamdi, Fahredin dhe Avdulla Fazliu si dhe komshiu i tyre Enver Rrustolli.
Në bazë të aktakuzës, të katër janë vrarë në njërën nga dhomat e shtëpisë së Hamdi Fazliut, në prezencën e dy grave.
Edhe Halim Maxhera, i cili në atë kohë kishte qenë vetëm 14 vjeç, tregoi para gjykatës se si ishte rrahur nga Gorolub Paunoviq dhe Zoran Vukotiq në shtëpinë e tij.
“Zorani dhe Gorolubi kanë ardhë në shtëpi dhe më kanë rrahur mua dhe babanë.Zorani ka pasë maskë por unë e kam njohur sepse ai ka qenë më i gjatë se Gorolubi dhe ka punuar në gjykatë, ndërsa Gorolubin e kam njohur kur kam qenë i vogël, ai ka punuar në Postë“, shpjegoi dëshmitari.
Maxhera po ashtu tregoi edhe mënyrën se si ishte rrahur ai.
“Zorani ia ka shky letërnjoftimin babës, më pas e ka rrahur me shuplaka dhe shkelma. Pastaj mua më qitke në ballkon. Ka qenë 1 metër lartë dhe pastaj më gjuajke poshtë me shkelm. Këtë e ka përseritë disa herë. Një herë më ka rrah Gorolubi pastaj Zorani“, rrëfeu më tutje dëshmitari.
Më tutje, në dëshminë e tij Halim Maxhera tregoi se e kishte parë kur Vukotiq dhe Paunoviq e kishin dërguar në shtëpinë e Hamdi Fazliut djalin e quajtur Fahredin dhe se më pas kishte dëgjuar katër të shtëna të njëpasnjëshme nga ajo shtëpi.