Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli, ka shkruar një kolumne rreth Gjykatës Speciale dhe ndodhive të fundit në Kuvend kur u iniciua zhbërja e ligjit për Specialen nga disa deputetët.
Veseli ka shkruar se Specialja qartësisht është e dëmshme për Kosovën, por ajo do të ndodhë, pasi shteti kosovar s’ka fuqi për ta ndaluar atë.
“Më së paku në botë e ka merituar Kosova t’i ndodhë, por ajo do të ndodhë edhe pse ka qindra argumente që flasin kundër saj! Është padrejtësi që po bëhet në emër të drejtësisë!”, shkruan, pos tjerash, Veseli.
Se Specialja është e pandalshme, Veseli thotë se u pa edhe me datën 22 dhjetor, kur ajo u tentua të shfuqizohet, transmeton Klan Kosova.
“Iniciuesit, kur e menduan shfuqizimin e Gjykatës Speciale, duhet ta kishin menduar më mirë, pra edhe reaksionin kundër! Ata, në dështimin e tyre, treguan se nuk ishin të përgatitur dhe serioz për ta shtyrë përpara iniciativën e tyre. Do të thotë se nuk ishin të gatshëm të merrnin përgjegjësi!”.
“Një gjë na e ka mësuar jeta: kur fillon diçka, duhet të marrësh përgjegjësi e kjo nuk bëhet duke i ikur asaj”./Telegrafi