Pjesa më e madhe e fajit për çarjen e madhe në PDK-në e Skenderajt i hidhet kryetarit të PDK-së Kadri Veselit, i cili i kishte premtuar Nuredin Lushtakut se do ta kandidojë për kryetar të Skenderajt gjersa Sami Lushtaku ndodhej ende në burg. Formimi i komiteteve të obligueshme është sfidë për Kuvendin e Skenderajt të martën. PDK-ja insiston që anëtarë të komiteteve, që i takojnë me ligj, të jenë nga 13 këshilltarët e mbetur, pa ata 7 që janë përjashtuar.
Çarja e madhe në Degën e PDK-së në Skenderajt, e cila ka nisur pak para zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit 2017, po shkon gjithnjë duke u thelluar dhe ka ardhur në një situatë që tensionet në mes të Sami Lushtakut, kryetar i Degës së PDK-së në Skenderaj, dhe Nuredin Lushtakut, nënkryetar i Skenderajt, të rritet skajshmërish.
Ky i fundit në një deklaratë për medie të shtunën ka thënë se vendimet që ka marrë, siç thotë ai, “grupi” i Sami Lushtakut për përjashtimin nga partia të 7 asamblistëve të PDK-së dhe të shkarkimit të Bekim Haxhiut nga pozita e nënkryetarit të Degës nuk do të zbatohen.
Sipas tij, vendimet që janë marrë janë jo të vlefshme sepse janë jashtë normave juridike, antistatutare, përçarëse dhe si të tilla janë të pavlefshme.