E vranë tri orë pas mesnatës, më 3 janar në fshatin Dobratin të Komunës së Graçanicës. Viktima, Muhamet Osmani vdiq një orë pas sulmit dhe u varros pasditen e asaj dite.
Mirëpo, dyshohet se vrasja u bë gabimisht, pasi i dyshuari kishte dashur ta qëllonte dikë tjetër, por vrau shokun e tij, Muhamet Osmanin. Gazeta Express ka qëndruar të enjten tek familja e viktimës dhe ka biseduar me vëllezërit e viktimës, Armendin dhe Liridonin
Muhamet Osmani, 36-vjeçar, nga Mitrovica, dyshohet se u vra gabimisht nga shoku i tij. Gazeta Express nga burimet e saj ka kuptuar se i dyshuari për vrasjen është Ylber Zekolli.Në oborrin e shtëpisë ku mbahej e pamja në Mitrovicë, pritnin burrat edhe dy vëllezërit e viktimës, Armend e Liridon Osmani.
Ata thanë të enjten për Gazetën Express se zbardhjen e këtij rasti, vrasjen e vëllait të tyre do t’ia lënë drejtësisë. Të dy, thanë shkurt se nuk i dinë shkaqet e kësaj vrasjeje, por dinë vetëm se ka pasur një përleshje, por nuk ishin të informuar kush me kë kishin mosmarrëveshje.
“Arsyet pse dhe qysh ka ndodhë nuk i dimë, me këtë punë do të merren organet kompetente”, tha shkurt Liridoni.Armend Osmani dhe familjarë të tjerë që ishin prezent, i thanë Express’it se Muhameti ishte i qetë dhe nuk kishte pasur probleme asnjëherë më askënd.
“Nuk e dimë na a ka pas probleme me najkon a jo, ose qysh ka ndodh rasti, po Muhameti kurrë s’ka pas probleme me kërkon ma herët”, tha vëllai, Armend Osmani.Express mëson se deri vrasja ka ndodhur pas një zënke mes viktimës dhe tre shokëve të tij, njëri ndër ta Ylber Zekolli, dhe një personi të quajtur Sadat (mbiemri i pa identifikuar). Por, nuk dihet se cili nga shokët e Muhametit kishte konflikte me personin e identifikuar me emrin Sadat.
“Sadati, në vendin ku u vra Muhameti, ishte i ulur me një person tjetër në një tavolinë afër Muhametit”, tha personi që dha informacionin për Express.Ylber Zekolli dhe Muhamet Osmani ishin shokë. Ata madje kishin qenë së bashku në Tiranë, më 26 mars të 2017’ës. Këtë e dëshmon edhe ky publikim që ata e kanë bërë në rrjetin social Facebook po atë ditë.
Policia për këtë rast konfirmon se vrasja ndodhi si pasojë e një mosmarrëveshjeje në mes të disa personave, por nuk japin detaje në mes të kujt ishin këto mosmarrëveshje.Te shtëpia e Ylber Zekolli, policia dje kishte konfiskuar dy armë; një pushkë të tipit M48, e cila ishte me leje4 dhe revolen e cila dyshohet se është përdorur gjatë kësaj vrasjeje, e tipit TT.I dyshuari për vrasjen, megjithatë, ende gjendet në arrati, konfirmon policia për Express, ndërsa rasti është duke u hetuar.Vrasja ka ndodhur në orën 03:05 në sallën e një restoranti që ndodhet në udhëkryqin Lipjan-Janjevë, saktësisht në fshatin Dobratin të Graçanicës.