Me hyrjen në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të Ligjit për
Këshillin Gjyqësor të Kosovës, si dhe të Ligjit për Gjykatat, u vunë themelet e
një strukture të re organizative të gjyqësorit, si dhe, u vendosën premisat mbi të
cilat ndërtohet një gjyqësor i pavarur i cili administrohet nga vetë profesionistët
e gjyqësorit.
Sistemi gjyqësor në Kosovë udhëhiqet nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës
si organizmi kryesor lidhur me mbarëvajtjen dhe funksionimin e sistemit në
tërësi. Ky këshill është përgjegjës për propozimin lidhur me emërimin dhe
riemërimin e gjyqtarëve, vlerësimin e performancës së tyre, trajnimet gjyqësore,
avancimet në detyrë, etikën profesionale, disiplinimin, administrimin gjyqësor
dhe menaxhmentin dhe për buxhetin e sistemit gjyqësor në përgjithësi.
Kompetencat e Këshillit janë të parapara me Kushtetutë dhe Ligjin për
Këshillin, në bazë të të cilave Këshilli ka rolin fundamental për sigurimin e
pavarësisë dhe paanësisë së sistemit gjyqësor.
Sistemi i gjykatave në Republikën e Kosovë përbëhet nga Gjykata
Supreme si autoriteti më i lartë, Gjykata e Apelit e cila gjykon në shkallë të dytë
dhe Gjykatat Themelore të cilat gjykojnë në shkallë të parë. Me qëllim të
veprimeve më efikase të gjykatës përkatëse, brenda Gjykatës së Apelit dhe
Gjykatave Themelore mund të themelohen Departamente dhe Divizione në bazë
të Ligjit për Gjykata (Neni 8 paragr.3.).
Në Republikën e Kosovës ekzistojnë 7 Gjykata Themelore, ku mbulojnë
rajonet kryesore të vendit. Gjykata Themelore e Prishtinës llogaritet si më e
madhja në vend sa i përket numrit të lëndëve dhe degëve që përfshihen në të.
Pra ҫdo rajon përbëhet nga degët e saj ku përfshihen komuna më të vogla
respektive. Rajoni i Mitrovicës përfshin: Mitrovicën si Gjykatë Themelore me
degët e saj në Vushtrri dhe në Skenderaj. Ky rajon për dallim nga rajonet tjera
është përballur edhe me probleme politike. Prej vitit 2008, vit kur u shpall
pavarësia e Republikës së Kosovës, kjo gjykatë aktivitetin saj e ka ushtruar në
komunën e Vushtrrisë. Përveҫ gjykatës edhe Prokuroria Themelore e Mitrovicës
në të njëjtin vit ishte transferuar në komunën e Vushtrrisë. Sfidat me të cilat
janë ballafaquar prokurorët, gjyqtarët dhe personeli administrativ ku e kanë
kryer punën në një objekt të përbashkët kanë qenë të rënda mirëpo puna
vetëmohuese e tyre ka sjellur rezultate të mëdha në këtë drejtim. Problemet e
tyre tashmë kanë përfudnuar sa i përket objektit sepse nga fundi i vitit 2017 dhe
fillimi i vitit 2018, Gjykata dhe Prokuroria janë vendosur në objektet e veta
respektive në komunën e Mitrovicës dhe kushtet për punë efikase dhe
profesionale janë maksimale dhe efikasiteti nuk mungon në kryerjen e kësaj
detyre kaq të shenjët.
Sfidat me të cilat ballafaqohet sistemi gjyqësor janë të llojeve të
ndryshme. Ky sistem ballafaqohet me numrin e vogël të gjyqtarëve,
bashkpunëtorëve profesional dhe të zyrtarëve ligjor. Prandaj shtimi i numrit të
tyre do të zvogëlonte numrin e lëndëve gjyqësore që ka kaluar kufinjët e
arsyeshmërisë. Ministria e Drejtësisë ka planifikuar që gjatë këtij viti të
inkuadrohen deri në 690 stafë në sistemin e drejtësisë në Kosovë ku përfshihën:
gjyqtarë, prokurorë, bashkpunëtorë profesional, zyrtarë ligjor qka është për t’u
përshëndetur kjo iniciativë më së e qëlluar.
Përfundimisht ҫdo shtet i cili synon që të ketë një të ardhme të sigurt dhe
të ndritur, duhet patjetër të investoj në Arsim, Shëndetësi dhe në Gjyqësor.
Stabilitetin dhe rendin e shtetit juridik e ruan një gjyqësor i fuqishëm, i
paanshem, i pavarur, jo politik dhe profesional.
Integrimi në Bashkimin Evropian kërkon që politika të mbaj duartë larg
gjyqësorit në mënyrë që njerëzit profesional me përgatitje adekuate të kyqen në
sistemin gjyqësor dhe të ushtrojnë funksionin e gjyqtarit, prokurorit pa presion
dhe që përgatitja profesionale e tyre të jetë i vetmi udhërrëfyes drejt kryerjes së
punës së tyre në mënyrën më të mirë të mundshme.